|
|
Dita e mėsuesit, madhėshtore si asnjėherė mė parė ......
,,Dita e Mësuesit, në realitetin e sotëm, kur Kosova është shtet i pavarur, ka domethënien e një feste të madhe. Pas Ditës së Pavarësisë, Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve të kombit kjo ditë, në këtë realitet, pa dyshim se radhitet si e treta për peshën që ka,, ka thënë i pari i Komunës, Rasim Selmanaj, në manifestimin ku po merrnin pjesë mbi 700 mësimdhënës dhe veteran të arsimit të kësaj komune, i cili është mbajtur nën patronatin e tij. Në historinë e shqiptarëve të ishe mësues ishte nder, privilegj dhe mbi të gjitha punë fisnike. Por krahas kësaj, të qenit mësues i popullit, ishte edhe një peshë e rëndë nën sundimin sllav, ka përkujtuar ai duke u shprehur se ishte një peshë e rëndë sepse rrezikimi i qenies kombëtare kërkonte edukimin e brezave të rinj se këtu dhe vetëm këtu ishte dheu i mohuar i një kombi. Se këtu shqiptarët nuk ishin të ardhur, siç ,,mësonin” librat e historisë, të përpiluara në Akademinë serbe, duke theksuar ai se këtu ishin gjenet e tyre mijëra vjeçare. Se këtu ishin bërë provat e shfarosjes së këtyre gjeneve. Se ky vend dhe ky popull ishin projektuar nga kjo akademi për eksperiment nëse mund të zhbëhej kjo qenie, që gjithmonë përfaqësonte një popull të tërë dhe autokton. Dhe kjo peshë që rëndonte mbi supet e mësuesve tanë kishte shkaktuar përndjekjen, persekutimin, madje edhe pushkatimin e dhjetëra mësuesve që sillnin këtë kujtesë të mirë për shqiptarët .Prandaj, në këtë ditë, kur ndjenjat janë të përziera me gëzimin për shtetin e Kosovës, por edhe me pikëllim për mësuesit që nuk janë sot, nuk mund të lëmë anash rikthimin në këtë histori të dhembshme e krenare, njëkohësisht. Sot, në Ditën e Mësuesit, edhe një herë duhet rikujtuar fëmijëve tanë shkollarë gjithë rrugën e gjatë të mbijetesës, të gjakimit për ruajtjen e frymës kombëtare, sakrificën e profesorëve dhe shpërthimin e shpirtit të nxënësve që ishte kalitur shëndetshëm nga mësuesit tanë, këtu, në Shqipëri, në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore. I duartrokitur nga të pranishmit, kryetar Selmanaj, ka thënë se7-Marsi, Dita e Mësuesit, në Kosovë lidhet edhe me historinë tonë më të re. Rrugëtimi i shumë brezave të patriotëve të persekutuar, të internuar dhe të vrarë ishte frymëzimi dhe ideali i gjeneratës së lirisë së Kosovës. Dija e zënë nga gjenerata të tëra mësuesish ishte brumi i kalitjes së shumë ushtarëve të UÇK-së. Të rënët në betejat gjithandej Kosovës dinin pse po flijonin veten. Dinin, sepse ishin pikërisht mësuesit e tyre ata që i mësuan për shqiptarizmin. Dinin dhe sakrifikonin edhe jetën sepse mësuesit e tyre, ndonëse në rrethana shumë të rënda, ua kishin mësuar drejt historinë e kësaj toke të përgjakur dhe të pushtuar. Dinin për veprën që po bënin, sepse ishin mësuesit e tyre ata që kishin bërë që ata të dinin se atdheu ishte në rrezik. Prandaj, mësues të nderuar në këtë ditë historia jonë e re nuk ka si të mos na kthejë mendjen te mishërimi i UÇK-së me portretin e mësuesit. Vrasja e Halit Gecit nuk ishte vrasje me pahir. Armiku kishte zgjedhur pikërisht misionarët e kombit për t’i vrarë. Prandaj, mësues të nderuar nuk ishte e rastësishme dalja e UÇK-së për herë të parë publikisht në skenën e tronditur shqiptare, pikërisht në ceremoninë e varrimit të mësuesit Geci. UÇK-ja kështu po tregonte se ishte pjellë e njerëzve të dijes. Prandaj këtë ditë gjenerali Daut Haradinaj, Rexhep Selimi dhe Mujë Krasniqi dolën e thanë para mijëra njerëzve të Kosovës se në jemi UÇK-ja.Dhe kjo dalje ishte fillimi i përplasjes së armatosur me shtetin okupator. Ishte rënia e mësuesit Geci dita më e përzgjedhur nga nismëtarët e celulave të para të UÇK-së për t’i treguar okupatorit se kjo tokë ka nga kush të mbrohet.
Ndërkaq, duke përkujtuar të kaluarën dhe venë në pah të sotmen, ai ka nënvizuar se “sot, të nderuar mësues, nuk mund të harrojmë emrat e shumë mësuesve të persekutuar, internuar, të vrarë por edhe mësues dhe ish-luftëtarë e dëshmorë të luftës së fundit”. Ju të nderuar mësues deçanas nuk ishit të fundit në trenin që po niste luftëtarët e lirisë. Si gjithmonë bashkë me popullin Ju u gjendët ndër të parët në stuhinë e quajtur Serbi. Edhe kur Serbia mbylli shkollat Ju bashkë me popullin odat e kuvendeve kombëtare i shndërruat në mësonjëtore. Ju, të nderuar mësues deçanas ishit ndër të parët që mposhtët Serbinë duke mbajtur gjallë arsimin shqip. Prandaj Ju meritoni respektin tonë. Ju meritoni respekt më të madh nga shteti. Ndërsa nga institucioni komunal ju premtoj për themelimin e një çmimi të posaçëm për këtë ditë të shënuar. Duke ju premtuar se në misionin tuaj fisnik do të jemi bashkë më lejoni që t’ua uroj Ditën e Mësuesit dhe të shpreh respektin tim të thellë për Ju që bëtë gjithçka që ne sot të jemi bashkë në këtë ditë të shënuar, ka përfunduar Selmanaj, ndërkohë me një fjalë rasti është paraqitur edhe Qazim Maloku, drejtor i DAKRS, kurse për të pranishmit, të tubuar në ambientet e restauranti “Maturanti”, grupi i rapsodëve “Dërvish Shaqa” ka prezantuar programin me këngë nga melosi burimor i kësaj treve.
Data: 08.03.2010 |
Informacionet
Komuna e Deēanit |